Çmimet e derivateve mbeten të larta, qytetarët thonë se më së shumti po e pësojnë bujqit dhe prodhuesit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se për datën 6 prill 2026 çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës në Kosovë mbeten të njëjta si një ditë më parë.
Sipas vendimit të datës 5 prill për caktimin e çmimeve maksimale, për sot çmimi maksimal i naftës (dizelit) është 1.86 euro për litër, ndërsa i benzinës 1.49 euro për litër.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që ta zbatojnë me përpikëri vendimin e marrë nga ministrja Rozeta Kusari-Lila, me qëllim garantimin e një tregu funksional dhe në shërbim të interesit të konsumatorëve. Sipas ministrisë, çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Megjithatë, përkundër përcaktimit të çmimeve maksimale, qytetarët vazhdojnë të ankohen për koston e lartë të derivateve. Sipas tyre, ndikimin më të madh po e ndjejnë bujqit dhe prodhuesit, të cilët varen drejtpërdrejt nga nafta për punën e përditshme dhe prodhimin.

