Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke paralajmëruar se nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, LDK nuk do të japë vota as për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e aq më pak për presidentin e ri.
Reagimi i Bajramit erdhi pas takimit të Kurtit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku kryeministri theksoi se për zgjedhjen e presidentit kërkon garanci për 85 vota, një numër që nuk mund të sigurohet vetëm me LDK-në, e cila ka 15 deputetë.
“Në vitin 2021, as nuk i kanë pasur 80 vota të sigurta dhe as kandidatja nuk ka qenë konsensuale. Sot Kurti kërkon figurë jopartiake dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë përsëri në zgjedhje, as vota për Kryetar të Kuvendit nuk do të ketë, e lëre më për presidentin,” ka shkruar Bajrami në Facebook më 6 prill 2026.
Ajo e akuzoi Kurtin se po e çon vendin nga një bllokadë në tjetrën, duke mbajtur kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. “Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë,” ka shtuar ajo.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke thënë se takimi me Abdixhikun është zhvilluar në një atmosferë konstruktive. “Na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e Presidentit. Takimi ishte konstruktiv dhe jemi të vendosur të shmangim zgjedhje të reja,” deklaroi Kurti.
Ndërkohë, edhe partitë e tjera kanë zhvilluar takime në përpjekje për zgjedhjen e presidentit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është përgjigjur ftesës së Kurtit, por ka kërkuar që iniciativa të formalizohet me një letër zyrtare për të garantuar seriozitet institucional.
Sipas afateve të Gjykatës Kushtetuese, presidenti duhet të zgjidhet brenda 22 ditësh, përndryshe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh pas 28 prillit. Aktualisht, vendi drejtohet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëkohësisht Kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

