Foto: Facebook / Sami Lushtaku

Homazhe për viktimat në Rezallë ka bërë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili theksoi se familjarët e viktimave presin më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës për ta dhe për vendin. Ai u shpreh se kjo ngjarje mbetet ndër më të rëndat që ka përjetuar populli shqiptar dhe kërkoi përkushtim më të madh institucional për familjet e viktimave.

Duke folur për praninë e institucioneve në këtë përvjetor, Lushtaku kritikoi mungesën e përfaqësuesve institucionalë, duke theksuar se këto vende nuk duhet të vizitohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

“Ky është edhe problemi më i madh, që nuk duhet të vijmë këtu vetëm kur kemi nevojë të kërkojmë votë. Mendoj se këtu duhet të vijmë edhe për të marrë forcë, për të parë çfarë ka ndodhur në këtë vend. Nëse e merr rrugën nga Skenderaj deri në Prishtinë, gjen të vrarë në shumë familje, në Shkabaj dhe vende të tjera. Nëse vërtet e ndjen atë që ka ndodhur këtu, sot do të duhej të ishin të pranishme edhe partitë politike, por edhe institucionet e Kosovës, sepse në fund të fundit lufta është bërë për institucionet dhe për këtë vend”, u shpreh Lushtaku.

Sot bëhen 27 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj, ku nga ushtria dhe policia serbe u vranë 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, ndërsa 44 prej tyre u tentua të zhdukeshin.

Një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës dhe më pas iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999, forcat serbe rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre persona arritën të mbijetojnë. Kjo ngjarje konsiderohet si një ndër masakrat më të rënda dhe më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *